Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se për herë të parë pas 17 vitesh anëtarësim, Shqipëria do të drejtojë Komitetin e Ministrave të 47 vendeve anëtare, një hap ky që shënon rritjen e imazhit të Shqipërisë në Europë dhe prestigjin e saj për të drejtuar organizata ndërkombëtare të këtyre përmasave. Simbolikisht sekretari britanik Uilliam Hague i dorëzoi zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto celësin e presidencës së radhës. Ministri Haxhinasto mbajti një fjalë ku shpalosi prioritetet e presidencës shqiptare, që do të udhëhiqet nga motoja: të bashkuar në diversitet. Haxhinasto u shpreh se Shqipëria do të vazhdojë punën në përputhje me vijën e ndjekur më parë nga presidencat ukrainase dhe britanike duke promovuar edhe më tej vlerat e kësaj organizate. Shqipëria, tha Haxhinasto ka vendosur të ketë si prioritet të saj gjatë këtyre gjashtë muajve dialogun ndërkulturor, edukimin e tolerancës vecanërisht për brezat e rinj dhe të jetuarit së bashku. Haxhinasto theksoi se në Tiranë në nëntor, gjatë festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë , do të organizohet një konferencë e nivelit të lartë ndërkombëtar mbi diversitetin ne Europë dhe dialogun ndërkulturor.


