Në bazë të nenit 77 të Kodit Zgjedhor, fushata zgjedhore përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve dhe heshtja përfundon në momentin e mbylljes së procesit të votimit. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore si nga organet e medias, nga partite politike apo veprimtari të tjera në funksion të këtij procesi. Zgjedhjet e përgjithshme politike të 28 qershorit janë të shtatat që zhvillohen në Shqipëri që nga vendosja e sistemit të pluralizmit politik, 1991. Bazuar në regjistrin kombëtar elektronik në zgjedhjet e së dielës janë thirrur për të votuar 3.1 milionë shqiptarë të cilët do të shprehin vullnetin politik me anë të votës së fshehtë. Zgjedhjet do të nxjerrin 140 deputetë, por për herë të parë, ata do të zgjidhen me sistem proporcional-rajonal. Vendi është ndarë në 12 rajone dhe votat do të llogariten në mënyrë proporcionale brenda për brenda secilit rajon. Të regjistruar si subjekte elektorale janë 34 parti dhe nje subjekt i pavarur. Sistemi proporcional favorizon bashkimin e partive në koalicione. Prandaj janë krijuar 4 koalicione: Aleanca për Ndryshimi, e drejtuar nga PD e kryeministrit Sali Berisha; Bashkimi për Ndryshim, drejtuar nga PS, me kryetar Edi Ramën; Aleanca Socialiste për Integrim, drejtuar nga LSI me kryetar Ilir Metën dhe Poli i Lirisë, drejtuar nga LZHK me kryetar Dashamir Shehin. Në të gjithë vendin do të ngrihen 4800 qendra votimi. Votat do të numërohen në 66 qendra të numërimit të votive. Rajoni i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve, 32, kurse ai i Kukësit, numrin më të vogël, 4 deputetë. Kodi i ri elektoral i miratuar në fund të vitit 2008 ka përcaktuar se 30% e numrit të kandidatëve të secilës forcë politike në garë duhet të përbëhet nga gra. Në vështirësi për ta arritur këtë shifër, PD dhe PS u detyruan në kufirin kohor të ligjit që të shtonin në mënyrë të paparashikuar dhe fiktive emrat në listat respektive. PD konkuron me 144 kandidatë, kurse PS me 143 kandidatë. Zgjedhjet do të mbikqyren nga një numër i madh vëzhguesish të organizmave ndërkombëtare si OSBE/ODIHR si dhe vendase. Ministria e Brendshme do të vërë në gadishmëri të ruajtjes së rendit dhe sigurisë në ditën e zgjedhjeve rreth 5700 forca policore. Forcat kryesore politike PD, e PS mbyllën mbrëmë fushatën duke u bërë thirrje votuesve që t’i mbështesin në zgjedhjet e së dielës.