Shqipëri | Të shtunën testi i parë i maturës shtetërore

alt

Krahas përgatitjeve, Ministria e Arsimit i bën thirrje maturantëve që të jenë të kujdesshëm në përmbushjen e kritereve të përcaktuara në rregullore, në mënyrë që të mos rrezikojnë hyrjen në provim, pasi në të kundërt humbasin të drejtën e konkurrimit për pranimet në shkollat e larta publike gjatë vitit të ri akademik. Maturantit për të hyrë në ambientet ku do të zhvillohet provimi i duhet detyrimisht mjeti i identifikimit si dhe paraqitja një orë e 30 minuta para kohës së përcaktuar për nisjen e testimit. Në rregullore përcaktohet se ata duhet të tregojnë kujdes dhe të ulen në vendet që u janë caktuar, si dhe të shmangin çdo tentativë për të komunikuar apo kopjuar, sepse penalizohen me humbjen e një viti për garën e konkurrimeve në universitete. Kujdes të veçantë maturanti duhet të tregojë gjatë verifikimit nëse testi i dhënë nga administratori i përket profilit shkollor që ai ka mbaruar. Në rastet kur testi i dhënë nuk është i profilit të tij, është i dëmtuar ose ka faqe të bardha, ai ka të drejtë të kërkojë menjëherë ndërrimin e tij, por jo më vonë se 30 minuta pas fillimit të provimit, veprim ky që pasqyrohet edhe në procesverbal. Rregullorja e provimeve përcakton që gjatë plotësimit të testit: Maturanti apo kandidati e plotëson testin me stilolaps me një ngjyrë (të zezë ose blu). Përdor vizore e kompas vetëm nëse i nevojitet. Maturantët/kandidatët që dorëzojnë testin firmosin për dorëzimin e tij në listën që disponon administratori. Kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar komisionit të maturës shkollore. Afatet e kërkesës do të përcaktohen me udhëzim të veçantë nga Ministria e Arsimit. Testi i letërsisë do të jetë i ndarë në dy pjesë, secila përmban fragmente veprash, rreth të cilave janë dhe pyetjet që kërkojnë shpjegime, zëvendësime, komente, krahasime, analiza, interpretime, perifrazime, pyetje që kërkojnë nxitjen e imagjinatës, si dhe pyetje që kërkojnë përgjigje krijuese. Gjithsej janë 25 pyetje, 13 me alternativa dhe 12 me zhvillim, ku përfshihet edhe eseja. Në lidhje me korrigjimin, testi i Letërsisë, pyetjet me alternativa do të vlerësohen me zero dhe një pikë. Maturanti merr një pikë kur ka rrethuar përgjigjen e saktë. Për pyetjet me zhvillim mësuesit do të korrigjojnë me kujdes çdo përgjigje të nxënësit edhe në rastet kur ka ndjekur rrugë tjetër nga ajo e përcaktuar. Ndërsa për esenë vlerësimi bëhet në varësi të shtjellimit të idesë, organizimit dhe strukturës, stilit e origjinalitetit si dhe saktësisë gjuhësore.