Shqipëri – Sot afati i fundit për formularin A3

Sipas këtij dikasteri, me shpalljen e vendeve bosh, të drejtën për të plotësuar formularin A3 e kanë të gjithë kandidatët, të cilët nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve për t’u regjistruar në fazën e parë si dhe fituesit e regjistruar në një program studimi në vitin akademik 2009-2010, por që nuk preferojnë të ndjekin atë program studimi. Ndërsa kanë afatin për ta plotësuar sot këtë dokument, kandidatët duhet ta paraqesin atë në Drejtoritë Rajonale ose Zyrat Arsimore, ndërsa katër ditë më vonë Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë. Bëhet i ditur ndër të tjera edhe fakti se institucionet publike të arsimit të lartë, nga 31 tetori do të shpallin në vende të dukshme, në mjediset e tyre, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit/çregjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim, si dhe të dhëna të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë.

Advertisement