Shqipëri – Situatë emergjente nga reshjet, mblidhet Grupi Ndërministror

Saturday, December 20, 2025

Në takim morën pjesë ministrat Basha, Prifti, Olldashi, Imami dhe zv.ministri i Bujqësisë Fazllia, si dhe drejtuesit e Emergjencave Civile, të Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura dhe të KESH-it. Grupi Ndërministror i Emergjencave Civile vlerësoi masat e marra deri më tani si dhe miratoi plan-veprimin për monitorimin dhe koordinimin e të gjitha strukturave për mbajtjen nën kontroll të situatës. Konkretisht, në qarqet Shkodër dhe Lezhë, shtabet e emergjencës funksionojnë në mënyrë permanente duke ndjekur situatën orë pas ore dhe duke verifikuar informacionin nga të gjitha hallkat e kontrollit. Nëpërmjet shtabeve të emergjencës janë njoftuar drejtuesit vendorë të të gjitha niveleve si dhe komuniteti i zonave që mund të rrezikohet nga prurjet e mëdha ujore për gatishmërinë e duhur dhe shmangien e çdo rreziku të mundshëm. Spitalet dhe qendrat shëndetësore janë njoftuar gjithashtu për të qenë të përgatitura për çdo situatë që mund të krijohet. Ministritë e linjës kanë vënë në gatishmëri të plotë të gjitha strukturat përkatëse me burimet njerëzore dhe bazën logjistike të nevojshme për përballimin e ndonjë situate emergjente që mund të krijohet. Konkretisht në terren dhe në gatishmëri janë strukturat dhe mjetet e emergjencave civile, struktura dhe mjete të Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura, të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Bordeve të Kullimit. Sakaq, konfirmohet se hidrovorët janë në gatishmëri të plotë dhe punojnë pa ndërprerje. Strukturat e KESH-it kanë raportuar se po monitorojnë pa ndërprerje prurjen e ujërave në digat e të gjitha hidrocentraleve në kaskadën e Drinit duke ndërmarrë edhe veprimet e nevojshme për shkarkimin e tyre dhe njëkohësisht për furnizimin e popullatës me energji elektrike. Grupi Ndërministror i Emergjencave Civile tha se do të monitorojë situatën në vijimësi dhe do të mblidhet vazhdimisht për të marrë vendimet përkatëse deri në shmangien e çdo rreziku të mundshëm apo krijimin e ndonjë situate emergjente.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -