Shqipëri – Sistem elektronik adresash

Për çdo shtetas shqiptar që figuron në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile do të korrespondojë një adresë e saktë në Regjistrin Kombëtar Elektronik të Adresave”. Deklarata u bë nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha në konferencën për modernizimin e sistemit të adresave, organizuar në bashkëpunim me OSBE, ku u paraqitën ecuria e deritanishme e projektit dhe detyrat për t’u realizuar deri në përfundimin e plotë të tij. Basha siguroi se Ministria e Brendshme do të vërë në funksion të realizimit të këtij projekti të gjitha njohuritë, energjitë dhe financat e nevojshme në mënyrë që projekti të zbatohet në përputhje me praktikat më të mira në të gjithë Shqipërinë. Ministri Basha tha se nëpërmjet përgatitjes së gjithë infrastrukturës ligjore në më pak se një vit, gjatë vitit 2008 u arrit që në bashkëpunim me qeveritë vendore të emërtoheshin pjesët publike të territorit dhe pas kësaj nën mbështetjen e fuqishme të Kryeministrit projektit iu vunë në dispozicion materialet e fotografimit ajror të territorit, që zyrat e urbanistikës në njësitë e qeverisjes vendore të mundësojnë: Kryetari i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, gjatë fjalës së tij në konferencë, shprehu vlerësimin për punën e deritanishme dhe theksoi nevojën e shtimit të përpjekjeve nga zyrat e urbanistikës në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore për të realizuar detyrat e mbetura deri në realizimin e plotë të projektit të modernizimit të sistemit të adresave. Po kështu edhe Zëvendësambasadorja e pranisë së OSBE-së, Renate Herrmanns deklaroi se të gjitha njësitë e qeverisjes vendore kanë kryer një punë të madhe për realizimin e detyrave të përcaktuara për krijimin e sistemit të adresave dhe se një pjesë e mirë e tyre kanë avancuar më shumë duke qenë tashmë fare pranë vendosjes në terren edhe të tabelave dhe emërtimeve përkatëse. OSBE do të financojë prodhimin dhe vendosjen e tabelave në Bashkinë e Sarandës. Për këtë qëllim gjatë kësaj konference u nënshkrua memorandumi mes OSBE-së dhe Bashkisë së Sarandës.

Advertisement