Viktima është personi me iniciale E.M., 29 vjeç nga Vlora, i cili ishte kthyer para disa ditësh nga emigracioni. Ai ishte shtruar në spitalin e Vlorës në fillim të javës së kaluar, por për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij, u dërgua në Sanatoriumin e Tiranës ku pasditen e së shtunës ka ndërruar jetë. Burimet nga Instituti i Shëndetit Publik bënë të ditur se 29-vjeçari gjeti vdekjen brenda 24 orëve që u shënuan dhe rastet e një burri dhe një gruaje nga Shkodra, që gjithashtu ishin prekur nga gripi i derrave. Më herët dje, një burrë në moshën 53 vjeç, nga qyteti i Shkodrës, ndërroi jetë në spitalin e këtij qyteti. Mësohet se ai vuante nga demenca, sëmundje e cila është një çrregullim i funksioneve intelektuale me bazë organike, që karakterizohet nga prekje të memories afatshkurtër dhe asaj afatgjatë, dhe çrregullimi i të paktën njërit nga aktivitetet mendore primare (mendimi abstrakt, gjuha e folur, orientimi në hapësirë, etj). Të gjitha këto çrregullime ndodhin në mungesë të çrregullimeve të koshiencës. Kjo patologji prek deri 5% të popullatës së moshës së thyer, kryesisht mbi 50 vjeç. Pak orë para se të konfirmohej vdekja e 53-vjeçarit, u njoftua nga Instituti i Shëndetit Publik edhe një tjetër viktimë. Një grua 47-vjeçare nga Shkodra, gjeti vdekjen në Tiranë pasi ishte prekur nga virusi H1N1 ndërkohë që vuante dhe nga hipertensioni dhe obeziteti. Ajo ishte prej pesë ditësh në Sanatoriumin e Tiranës dhe ishte diagnostikuar si e prekur nga virusi i rrezikshëm. Mjekët thanë se vdekja e të ndjerës erdhi nga ndikimi serioz i sëmundjeve të cilave iu bashkua edhe prekja nga virusi i gripit të derrave. Deri tani numërohen rreth 310 raste të personave të prekur nga virusi i gripit të derrave. Autoritetet shëndetësore nuk janë shprehur nëse rreziku është rritur në përmasat e tij, pas katër viktimave të konfirmuara.
Previous article
Next article
RELATED ARTICLES


