Shqipëri | Rriten pagat për 9300 punonjës të kujdesit shëndetësor parësor

elvana hana

Kjo rritje, që nis që nga 15 korriku, ka efekt financiar prej 61.6 milion lekë. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, tha në një konferencë për mediat se “në zbatim të politikave të Qeverisë për stimulimin financiar të personelit shëndetësor, ISKSH miratoi vendimin për rritjen nga 2 deri në 5% të pagave të mjekëve të familjes dhe infermierëve të qendrave shëndetësore në të gjithë vendin”. Hana sqaroi se rritja më e lartë është parashikuar për mjekët, të cilët mbulojnë zonat qëndrore, paga e të cilëve nga 52.835 lekë, bëhet 55.335 lekë. Për mjekët që mbulojnë zonat kodrinore paga rritet nga 63.335 lekë në 65.335 lekë, ndërsa për mjekët e zonave malore, paga bëhet 83.335 lekë nga 81.835 lekë që ishte më parë. “Pra, një mjek në zonën qëndrore që mbulon 2000 banorë, me vjetërsi pune 25 vjet dhe që kryen mbi 12 vizita në ditë, do të paguhet me një pagë mujore bruto rreth 55 mijë lekë, ndërsa një mjek në zonat e thella malore që kryen 6 vizita në ditë do të paguhet me pagë mujore rreth 83 mijë lekë”, tha Hana. Bazuar në vendimin e ISKSH, rritje me rreth 4% do të kenë dhe pagat e mjekëve specialist. Ndërsa, paga e personelit infermieristik në total ka një rritje rreth 2.2%. Nga 15 korriku, pagat e infermierëve me arsim të mesëm profesional arrijnë deri në 35.500 lekë dhe e atyre me arsim të lartë, deri në 40.000 lekë. Nga vendimi i ISKSH përfitojnë mbi 6600 infermierë, me nje efekt financiar deri në fund të vitit 2012, rreth 29.7 milion lekë.  

Advertisement