Shqipëri – Ren, propozimi për liberalizimin e vizave në 2010

Deklarata e Ren, u bë në fjalën e mbajtur përpara drejtuesve të komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian. “Zgjedhjet e fundit të mbajtura në Shqipëri, ishin më të mira se ato të të zhvilluara gjatë viteve të mëparshme. Megjithatë, kishte akoma mungesa”, tha Ren. Ai shtoi se “ne po presim nga OSBE/ODHIR të japin vlerësimin final në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve”. Ren ka folur dhe për aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat për anëtar i Bashkimit Evropian: “Le të shohim se çfarë do të ndodhë. Komisioni është gati të përgatisë konsideratën e tij zyrtare lidhur me aplikimin për statusin e vendit kandidat, sapo Këshilli t’ia kërkojë këtë. Ndërkaq Shqipëria po vazhdon implementimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim”. Komisioneri për Zgjerimin, Oli Ren ka folur edhe për heqjen e barrierës së vizave për lëvizjen e lirë të shqiptarëve por edhe të Bosnjës, kur tha se në mesin e vitit 2010 ky proces pritet të marrë udhë. “Ne kemi si qëllim, që Shqipëria dhe Bosnja të ndjekin rrugën e fqinjëve të tyre sa i përket liberalizimit të vizave. Nëse ata vazhdojnë reformat dhe plotësojnë kushtet, Komisioni Evropian mund të bëjë një propozim në mes të 2010-ës dhe kjo do të ndikojë shumë pozitivisht në jetën e banorëve të këtyre vendeve”, deklaroi z.Ren Në këtë kuadër, ai paralajmëroi se “shpejtësia e Shqipërisë dhe Bosnjës në rrugën e liberalizimit të vizave është në duart e qeverive dhe liderëve të këtyre vendeve”. Në përfundim të argumentit, Ren tha se “në momentin që propozimi ynë do të hyjë në fuqi, të gjithë shtetasit e Shqipërisë dhe Bosnjës, do të mund të hyjnë në vendet e zonës Shengen duke paraqitur vetëm pasaportat e reja që sigurisht duhet të jenë biometrike.

Advertisement