Komisioneri Rehn vuri theksin mbi liberalizimin e vizave si një proces të pakthyeshëm që do të çojë në europianizimin e shoqërisë civile në rajon dhe nga i cili do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, me kusht që qeveritë e tyre përkatëse të kenë përmbushur kriteret e nevojshme. “Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina do t’i ndjekin vendet fqinje shpejt në këtë proces”, theksoi Rehn. Më tej, Ren njoftoi për propozimin e Komisionit Europian të datës 15 korrik 2009, drejtuar Këshillit të BE-së, për heqjen e regjimit të vizave me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi. Por ai theksoi se propozimi është bërë me kusht që këto dy vende të përmbushin me sukses edhe kërkesat e fundit teknike të nevojshme. Komisioneri Ren nënvizoi se, nëse Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina do të vazhdojnë reformat me ritmin e tanishëm, atëherë Komisioni Europian do të jetë në gjendje të bëjë propozimin për heqjen e vizave edhe për këto dy vende deri në mesin e vitit 2010. Sidoqoftë, vazhdoi ai, çdo gjë varet nga shpejtësia e reformave të Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Kushtet që mbeten për t’u plotësuar për Shqipërinë janë: ▪ Standarde të larta të sigurisë së dokumenteve dhe shpërndarja e pasaportave biometrike. Këtu, z.Ren theksoi se Serbia ka shpërndarë tashmë më shumë se 700 mijë pasaporta biometrike, Maqedonia 400 000 dhe Mali i Zi 100 000 pasaporta biometrike; ▪ Forcimi i strukturave ne luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ▪ Forcimi i kontrollit dhe menaxhimit të kufijve. Në vazhdim, Komisioneri Ren vlerësoi zgjedhjet parlamentare si më të mira në krahasim me ato të mëparshme, duke vënë në dukje se, megjithatë u konstatuan mangësi. Ai njoftoi anëtarët e AFET-it se Komisioni Europian është në pritje të raportit të OSBE-së për të dhënë vlerësimin përfundimtar ne lidhje me zgjedhjet në Shqipëri. Komisioni Europian është i gatshëm të përgatisë opinionin mbi kërkesën e Shqipërisë për aderim në BE, nëse Këshilli i BE-së do të na japë mandat për këtë, u shpreh z. Ren. Përsa i përket Kosovës, Komisioneri Ren theksoi se Komisioni Europian po punon në përpilimin e studimit të fizibilitetit, i cili do të publikohet së bashku me raportet e progresit në tetor, duke hapur kështu rrugën e bashkëpunimit në vazhdim mes BE-së dhe Kosovës.