Shqiperi – Probleme ne te gjithe vendin per shkak te motit te keq

Megjithëse reshjet e dëborës dhe moti i keq kanë përfshirë gati të gjithë territorin e vendit, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve garanton se ka marrë të gjitha masat për mbajtjen e situatës në kontroll dhe normalizimin e saj. Sipas DPRR në rrethin e Kukësit trashësia e dëborës ka arritur në 10 cm. Në këtë qytet bie borë në pjesën Kalimash-Qafë Shtamë-Qafë Shllak. Era e fortë dhe e ftohtë ka shkaktuar ngricë në rrugë por aksi është i kalueshëm. Sa i përket zonës së Tropojës, mund të thuhet se nuk ka problem në qarkullim, edhe pse trashësia e dëborës ka arritur në 30 cm. Ndërkohë që reshjet e dëborës vazhdojnë të bien. Në Dibër, në segmentin rrugor Burrel-Bulqizë këshillohet përdorimi i zinxhirëve pasi trashësia e dëborës ka arritur në mbi 30 cm. Në Tiranë e Elbasan, në km 29 të aksit Tiranë-Qafë-Krrabë-Elbasan trashësia e dëborës arrin në 20 cm. Vështirësi në këtë aks krijohet nga shkarjet e dherave. DPRR garanton se mjetet janë në gadishmëri për të mbajtur aksin të kalueshëm. Sa i përket qytetit të Vlorës, mund të thuhet se ka borë në Qafë-Llogara. Është punuar me borëpastruese dhe aksi aktualisht është i kalueshëm.
Advertisement