Në këtë forum të tetë të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore, do të marrin pjesë Krerë shtetesh të Kroacisë, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, etj, të cilët do të priten nga Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Në forum do të jenë gjithashtu të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terri Devis dhe Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, Koiçiro Macura. Presidenti Topi do të mbajë fjalën në një nga sesionet plenare të Forumit, ku do të përshëndesë organizimin e këtij aktiviteti të dobishëm për rajonin e Ballkanit, si dhe do të vlerësojë rëndësinë që ka për rajonin tonë promovimi i vlerave kulturore e turistike në mbarë Evropën. Gjatë punimeve të Forumit, do të diskutohet mbi bashkëpunimin rajonal, politik, arsimor e kulturor mes vendeve të Evropës Juglindore. Gjithashtu, pjesëmarrësit do të diskutojnë për kontributin e UNESCO-s në rajon, Shqipëri e Kosovë etj. Pritet që Presidenti Topi të zhvillojë edhe takime dypalëshe me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe me homologë e drejtues të tjerë të lartë, pjesëmarrës në Forum. Takimet dypalëshe të drejtuesve dhe delegacioneve zyrtare respektive do të përqëndrohen në zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit reciprok në kuadër të aspiratës integruese të vendeve tona në Bashkimin Evropian, si dhe të frymës së miqësisë dhe bashkëpunimit të mëtejshëm konstruktiv rajonal.