Projekt-vendimi që pritet të kalojë për miratim pa kundërshtime në Këshillin e Ministrave, është marrë nga Ministria e Financave në konsultim edhe me Institutin e Shëndetit Publik. Ky i fundit thotë se shpreson që kjo rritje çmimi të ndikojë në uljen e numrit të duhanpirësve ose së paku në reduktimin e pirjes ditore të duhanit. Studimet e kryera nga OBSH, tregojnë se rritja e çmimit të cigareve me 10% do të ulë në masën 8% numrin e duhanpirësve të rinj. Në Shqipëri aktualisht numërohen afro një milionë duhanpirës ose afro një e treta e popullsisë, apo rreth gjysma e popullsisë me moshë mbi 18 vjeç. Gjithsesi mes duhanpirësve gjenden edhe 200 mijë femra e për më tepër, disa mijëra duhanpirës identifikohen në moshat 14 deri 18 vjeç që janë të mitur. Rritja e çmimit të duhanit, një praktikë ndërkombëtare që zbatohet deri dy herë në vit, edhe në Shqipëri po zbatohet rëndom si nga vetë kompanitë ashtu dhe nga shteti. Mbi 300 milionë euro është shuma që përfitohet çdo vit nga kompanitë për shitjen e duhanit shqiptarëve.


