Mësohet se drafti paraprak i përpiluar nga presidenca polake vlerëson zgjedhjet e zhvilluara në 8 Maj në Shqipëri, ndërsa bën thirrje që palët të ngrihen mbi interesat partiake si rruga e vetme për përmbushjen e 12 rekomandimeve të vendosura nga Bashkimi Europian. Burime nga Brukseli bëjnë të ditur se Bashkimi Europian dhe presidenca polake janë të kënaqur që konfliktet dhe mosmarrëveshjet gjatë procesit elektoral u zgjidhën brenda kuadrit ligjor dhe atij kushtetues. Ky qëndrim i Brukselit pritet të rivlerësohet të martën në Këshillin i 3-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim – Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Palës shqiptare pritet t’i rekomandohet vendosja sa më shpejt e një dialogu politik mes forcave politike dhe zbatimi i 12 rekomandimeve të Komisionit Europian. Sipas zyrtarëve europianë ajo që mungon në Shqipëri është uniteti politik për integrimin europian të vendit, çka e bën më të vështirë ndihmën e Bashkimit Europian ndaj vendit tonë.


