Sipas drejtorit të përgjithshëm të politikave shëndetësore në ministri, Pëllumb Pipero, vaksina do të shpërndahet në qendrat shëndetësore për tu aplikuar falas nga qytetarët e përcaktuar sipas një plani vaksinimi nga ISHP. “Besojmë se deri në fund të muajit do të kemi gati të gjithë sasinë e parë të porositur në Hungari dhe Gjermani me të cilën mendojmë se do të përballojmë valën e parë të gripit të derrit në vendin tonë. Më pas kjo sasi do të shpërndahet në qendrat shëndetësore dhe përmes një fushate promocioni do t’i bëjmë thirrje qytetarëve të aplikojnë vaksinën sa më parë”, u shpreh Pipero. Pipero ka siguruar qytetarët se vaksina që ka porositur vendi ynë është testuar me sukses në Hungari, vendi nga i cili kemi blerë 200 mijë dozat por gjithsesi aplikimi i saj mbetet në dëshirën e tyre. “Vaksina e re ka efekte anësore afatshkurtra siç mund të jetë një rritje e ndjeshmërisë apo një alergji, por për efektet anësore afatgjata duhet të presim pak më shumë kohë. Detyrë e ministrisë është të sigurojë vaksinën dhe tu japë qytetarëve informacionin e nevojshëm në lidhje me efektet e saj. Ne poliklinika vihet re një rënie e numrit të personave që kërkojnë ndihmë mjekësore si pasojë e prekjes nga gripi. Mjekët specialistë shpjegojnë se një valë tjetër pritet të ketë në fund të muajit janar ndaj i kërkohet qytetarëve të bëjnë vaksinën e gripit të thjeshtë por edhe atë kundër H1N1.


