Me anë të një deklarate për shtyp ministria e Brendshme bëri të ditur se në qarkun e Shkodrës rezulton se nga vlerësimi paraprak është përmbytur rreth 600 ha tokë në rajonin nr.1. “Në lagjen Ajasem, Bahçallëk dhe Tophane, janë evakuuar nga zona e përmbytjes 37 familje, nga të cilat 11 familje janë strehuar në ambientet e Turizmit në Shkodër. 130 persona të komunitetit rom janë akomoduar ne repartin ushtarak Melgushë, ku u është dhënë asistencë me ndihma në ushqime dhe ndihmë mjekësore. Për këto familje janë duke u dërguar nga Rezerva e Shtetit edhe 100 pako familjare me ushqime” deklaroi ministria e Brendshme. Në komunën e Ana e Malit janë përmbytur rreth 850 ha tokë. Janë përmbytur 130 shtëpi në fshatin Obot, nga të cilat 5 familje janë evokuar. Janë dërguar rreth 100 pako familjare me ushqime dhe nga komuna po merren të gjitha masat për ti shpërndarë në çdo shtëpi. Në komunën Dajç janë përmbytur rreth 1000 ha tokë bujqësore. Aktualisht janë të bllokuara me ujë 70 banesa dhe janë evokuar 53 familje. Në fshatin Semrisht ka dëmtime të argjinaturës. Në këtë komunë janë të dislokuara dy zjarrfikëse për mbrojtjen nga përmbytja të dy kabinave elektrike. Në terren në Qarkun e Shkodrës, janë dislokuar forcat operacionale me përbërje: 15 mjete të Policisë së Shtetit për të ndihmuar evakuimin e banorëve, forca të FNSH Shkodër e Tiranë, si dhe reparti Delta Force me dy gomone. Sipas ministrisë së Brendshme në qarkun e Shkodrës po veprojnë në terren nga ministria e Mbrojtjes 112 trupa, 13 mjete transporti vetëshkarkuese dhe 6 motobarka gomone. Janë nisur për në Komunën e Ana e Malit 12 forca montimi me dy mjete transporti të ngarkuara me dy ura tip bejli që do të montohen në këtë komunë. Ndërkohë në Qarkun e Lezhës, situata po shkon drejt normalizimit. Vazhdon puna për ndërtimin e argjinaturës në lagjen Stome, fshati Ishull Shëngjin. Po punojnë forca dhe mjete të ushtrisë, të Policisë së Shtetit, emergjencave civile, të bordeve të kullimit dhe të pushtetit vendor. Në terren po punojnë 11 makina vetëshkarkuese, tre ekskavatorë dhe tre fadroma. Në zonën e Tales nuk ka asnjë problem, uji është larguar dhe nga tokat bujqësore.