Këtë vit në tregun e librit shkollor për herë të parë nxënësit do të mund të përzgjedhin tekste të huaja mësimore si fizika, matematika e të tjerë, por të përkthyera në shqip. Dy vitet e shkuara tregu i librit shkollor ka ndeshur mjaft pengesa në shitje dhe në shpërndarje ku mungesës së shumë titujve deri në javët e para të fillimit të shkollës u janë bashkuar edhe radhët e gjata para librarive. Ndërkohë që blerja e teksteve mësimore nga vetë nxënësit do të kompensohet nëpërmjet faturave të shitjes që këta të fundit do të disponojnë. Skema e kompensimit për këtë vit përcakton se për tekstet e blera shteti do të rimbursojë rreth 50% të vlerës së çdo libri për gjithë ciklin. Konkretisht për vitin e ardhshëm do të kompensohen në masën 100% nga shteti, pas blerjes së teksteve shkollore, të gjithë nxënësit e arsimit bazë dhe të mesëm, që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, para e tetraplegjikë. Gjithashtu, për subvencionimin e këtyre teksteve në arsimin bazë 9-vjeçar do të përfitojnë deri në masën 70% dhe fëmijët e familjeve që marrin ndihmë ekonomike, ndërsa për arsimin e mesëm 50% të kostos së këtyre teksteve. Pas rishikimeve të bëra nga të gjitha kërkesat e paraqitura për tekste këtë vit bordi i miratimit ka certifikuar 544 alternativa të ndryshme.