Plotësimi i formularit A2 nga maturantët do të bëhet në fillim të javës së ardhshme. Siç njofton edhe Agjencia Kombëtare e Provimeve, deri në fund të javës do të jetë gati sistemi dhe udhëzuesi përkatës për maturantët, i cili do të publikohet në faqet elektronike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës e të Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Të rinjtë, duhet të bëjnë pagesën pranë shkollave që të futen në sistem. Por në rast se ata nuk shlyjenë këtë detyrim finaciar prej 2000 lekësh atëherë nuk janë më pjesë e maturës, pasi mesatarja e tyre nuk hidhet online në sistem për t’u përllogaritur. Specialistët e AKP-së theksojnë se afati për plotësimin e formularit A2 do të jetë 3-4 ditë, periudhë, sipas tyre e mjaftueshme, duke qenë që aplikimi bëhet online. Formulari A2 mund të plotësohet nga çdo qendër interneti si dhe në të gjitha mjediset ku ka internet, në momentin që do të hapen procedurat për aplikim. Ndërkaq këtë vit janë shtuar edhe mjaft programe të reja për t’u përzgjedhur nga të rinjtë në formularin A2, i cili do të jetë sërish online. Janë mbi 300 programe studimi që përfshijnë të gjitha lëndët e shpërndara në universitetet publike. Në udhëzimin që do të publikojë MASH brenda disa ditësh, do të përcaktohen edhe hapat se si do të bëhet plotësimi online.