Shqipëri | Fluks emigrantësh që kthehen për ndërrimin e viteve

alt

Fluks më i madh emigrantësh që presin për të hyrë në Shqipëri është vënë re në pikën kufitare të Kapshticës në juglindje për shkak se pala greke punon me tre sportele, ndërsa ajo shqiptare punon me shtatë sportele. Kështu në 24 orët e fundit në doganën e Kapshticës kanë hyrë në territorin shqiptar 4287 shtetas shqiptarë; 935 shtetas të huaj; 1293 automjete shqiptare dhe 381 automjete të huaja. Ndërsa nga territori shqiptar kanë dalë 2612 shtetas shqiptarë; 713 shtetas të huaj; 847 mjete shqiptare dhe 366 mjete të huaja. Edhe në portën tjetër me Greqinë në Kakavijë është vënë re një fluks emigrantësh shqiptarë që presin të kthehen për natën e ndërrimit të viteve. Në Kakavijë në 24 orët e fundit kanë hyrë 5 500 udhëtarë dhe 1350 automjete, ndërkohë në doganën e Kakavijës pala shqiptare punon me 6 sportele, ndërsa ajo greke me 3 sportele. Po kështu fluks emigrantësh ka edhe në portën hyrëse të Adriatikut, në Durrës. Sipas të dhënave në vend kanë hyrë 2 200 udhëtarë dhe 890 automjete. Në portin e Durrësit punohet me 32 sportele, dhe në datat 1 dhe 2 janar nuk do të ketë lundrime.

Advertisement