Sipas të dhënave më të fundit gjenden të bllokuara shumë komuna në veri ku trashësia e borës ka mbërritur në 70 cm, duke krijuar vështirësi në komunikimin e banorëve me zonat përreth, por edhe në qarkullimin e automjeteve. Kështu, të bllokuara janë disa komuna të qarkut të Dibrës si Ostren, Kalaja e Dodës, parku i Lurës, malësia e Slovës, Trebishtit, e fshatrat e Martaneshit. Po kështu është vështirësuar tejet qarkullimi i automjeteve në akset rrugore që lidhin Peshkopinë me Kukësin, aksin Peshkopi-Librazhd, Kukës-Shishtavec, ku lëvizja e automjeteve bëhet vetëm me zinxhirë. Ndërkohë, ngricat e akullit në malësinë e Pukës kanë vështirësuar qarkullimin në rrugën Pukë-Fushë Arrëz, dhe tek Kroi i Zojës, rrugë tejet të vështira për t’u përshkuar gjatë periudhës së ngricave. Në verilindje janë bllokuar për shkak të ngricave dhe dëborës komunat e Mokrës së Sipërme dhe asaj të Poshtme në qarkun e Korçës, komuna Lekas në Korçë, komunat e Vithkuqit e Novoselës në Ersekë. Përveç segmentit Korçë-Dardhë, ku kalimi i automjeteve bëhet vetëm me zinxhirë, mësohet se akset nacionale janë të hapura. Ngricat në rrugë kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve në Qafën e Qarrit në rrethin e Korçës, në aksin Kapshticë-Kozanë dhe në segmentin rrugor Ersekë-Leskovik ku kalohet vetëm me zinxhirë. Temperaturat e ulëta dhe ngricat kanë sjellë probleme edhe në Qafën e Llogarasë dhe Qafën e Muzinës në jug të vendit.