Shqipëri | Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkët

Mijëra besimtarë ortodoksë, kremtuan mesnatën e së shtunës, deri në orët e para të mëngjesit të sotëm festën e Pashkëve. Meshat janë mbajtur në të gjithë vendin, ndërsa në Tiranë mesha kryesore është mbajtur në katedralen e re “Ringjallja e Krishtit” ku është drejtuar nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos. Urime gjatë ditës së sotme për besimtarët kanë ardhur nga krereët e shtetit. Presidenti Bujar Nishani thotë se “kemi bërë goxha rrugë. Ku ishim e ku jemi, vetëm të kujtosh shkatërrimin e përbindshëm të ndërtesave të kultit, martirizimin e priftërinjve, tmerrin e besimtarëve, se po të zbulonin dikë që kishte zier dhe ngjyrosur vezë për Pashkë, mund ta internonin ose burgosnin, të ngjethet mishi. Por, le të gëzojmë dhe urojmë njëri-tjetrin në këtë ditë gëzimi”. Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një vizitë në Katedralen “Ringjallja e Krishtit” ku u takua me kryepeshkopin Janullatos. Berisha u shpreh se “është dita e shenjtë e besimtarëve të Zotit që admirojnë dhe nderojnë përjetësinë, shpresën, besimin tek e ardhmja”. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u shpreh se “Është një moment reflektimi mbi një akt hyjnor të sakrifikimit në emër të mëkateve të gjithë njerëzimit, që Jezusi bëri. Me një simbolikë për ti kujtuar botës, secilit prej nesh për ti qëndruar vlerave, me të cilat ne jemi rritur dhe do të shikojmë përpara”, tha më tej Topalli. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama uroi: “Ju uroj Gëzuar Pashkët të gjithëve pa përjashtim, sepse Shqipëria është vendi ku të gjithë festojnë festat e të gjithëve dhe kjo është një pasuri e jashtëzakonshme që ne duhet ta çmojmë dhe ta kultivojmë për t’ua lënë brezave”, tha Rama. Pashkët simbolizojnë edhe thelbin e krishtërimit, ringjalljen e Krishtit, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.Festimet për Pashkët kanë nisur që ditën e premte, e njohur ndryshe edhe si e premtja e zezë. Pashkët paraprihen nga një kohë parapërgatitore e agjërimit që zgjat 40 ditë dhe quhet Kreshmë. Në ditën e Pashkës sipas Biblës, fiton jeta mbi vdekjen me ringjalljen e Jezu Krishtit. Simboli i ditës së Pashkës janë ngjyrosja e vezëve të kuqe të cilët simbolizojnë jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.

Advertisement