Gjatë konferencës për shtyp zonja Lvovski tha se qeveria shqiptare duhet të fokusohet në përmirësimin e politikave fiskale për të nxitur në këtë mënyrë zhvillimin e ekonomisë. Sipas saj, ulja e borxhit publik që aktualisht ka kapur shifrën 60% duhet të jetë një ndër prioritetet kryesore të qeverisë, operacion, për të cilin do të ketë edhe ndihmën e Bankës Botërore. Znj. Lvovski tha se rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë vitit 2012 do të jetë 2%. Por këto parashikime sipas saj janë të lëkundura dhe nuk mund të japin asnjë garanci për zhvillimet e mëtejshme të ekonomisë. Drejtoresha e Bankës Botërore shprehu shqetësimin e saj për rritjen e nivelit të kredive të këqija, ndonëse e cilësoi sektorin bankar si ndër më pozitivët në ekonominë shqiptare.