Shpërthen në lot

    Pas kritikash dhe vlerësimesh për paraqitjen në Sanremo e pas eksperiencës si gjyqtare në spektaklin e talenteve X FACTOR, këngëtarja ka qenë e ftuara e Federica Panicucci-t në Domenica Cinque. Anna ka treguar një anë të sajën gati të panjohur më parë nga publiku: nga një vajzë e fortë dhe të vendosur papritur u shndërrua në një femër të brishtë që mes lotësh shfryn vuajtjen e mbajtur përbrenda për kaq shumë vite.

    Argumenti për të cilin u fol ishte padyshim edhe historia e dashurisë me partnerin Gigi D’Alessio: “Që prej fillimit historia ime me Gigi-n ka qenë në qendër të kritikave të pafundme. Është shumë e vështirë t’u përgjigjesh të gjithave e të thuash të vërtetën tënde, ndaj shpesh zgjedh të heshtësh për të mos ushqyer akoma më tepër dashakeqësinë. Gjithë këto kritika të vazhdueshme, e gjithë bota që të tregon me gisht më kanë plagosur shumë dhe kurrë nuk e kam thënë”,- ka thënë Anna. Por sot gjërat kanë ndryshuar për mirë.

    Advertisement

    Gjatë intervistës së të dielës në Domenica Cinque, artistja ka shkuar më në detaje: “Sot jam më rrezatuese edhe pse askush nuk më ka kuptuar thellësisht. Jam kritikuar sepse nuk qeshja, jam kritikuar për trukun që në fakt për mua ishte një mënyrë për të krijuar një distancë, për të mos më prekur. Fatmirësisht kam pasur shumë persona afër, kam vuajtur në heshtje. Shumë veta kanë menduar se unë isha e ftohtë dhe antipatike, por kur vjen në jetë një fëmijë forcohesh dhe ndryshon çdo gjë. Që kur ka lindur Andrea, kam ndryshuar totalisht. Më ka dhënë një solaritet dhe një siguri shumë të madhe, ndaj tani çdo gjë e vë në plan të dytë”.

    Këngëtarja Anna Tatangelo ka përshkruar edhe veten si nënë: “Jam një mama që shqetësohem shumë. Nuk kam marrë në punë as dado sepse nuk do të ndihesha e qetë. Kam besim vetëm tek mamaja ime të cilën e mbys me këshilla sa herë flasim. Mamaja i vë Andreas të dëgjojë muzikën tonë dhe më duhet të pranoj se me muzikën e Gigi-t e zë gjumi. Gigi ngrihet natën për t’i vënë biberonin ose për t’i dhënë qumshtin, por as që bëhet fjalë t’i ndërrojë panolinat”. Biseda është mbyllur me deklaratën: “Kam thënë gjithnjë se një femër nuk duhet t’a humbasë kurrë feminilitetin ndaj jam pikërisht unë që marr iniciativat në krevat”.