Shkreli e Lame sërish akuza për pallatin 11 katësh

Në vazhdën e akuzave të lëshuara lidhur me lejen e ndërtimit dhënë nga Bashkia e Tiranës, për një pallat 11 katësh pranë shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja, Këshilltari i kryeministrit, Artan Shkreli dhe Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame në një deklaratë të përbashkët e kanë cilësuar si absurditet.

Shkreli u shpreh se ky ndërtim i heq shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli” dritën, ajrin dhe elementë të tjerë mjedisorë duke u shprehur se “fëmijëve të Shtëpisë së Fëmijës, nuk u thuhet dot “as ngrohuni në diell” tani, siç është ajo thënia: “tani shkoni ngrohuni në diell”, por këtu prishet dhe një aset i rëndësishëm i kryeqytetit.
Dua tu bëj thirrje investitorëve, pronarëve, profesionistëve të sektorit që të mos tërhiqen nga hunda nga kryetari i Bashkisë me lojërat e tij okulte sepse kështu do të paguajnë një faturë dy dhe tre-fishe në raport me ligjin.
Dua të theksoj se këto zona nuk janë lënë si rezervat gjuetie për zotin Basha apo shpurën e tij, por janë zona që presin nga Bashkia e Tiranës një rehabilitim dhe një restaurim, por kjo bashki nuk ka bërë qoftë edhe një restaurim të vetëm në trashëgiminë e kryeqytetit.”
Ndërsa kreu i ALUIZNI-t, Lame tha se tashmë Bashkia po jep lejet e ikjes në muajt e fundit të kësaj qeverisje të qytetit njësoj si bëri “qeveria Berisha” në muajt prill, maj, qershor të vitit 2013.
“Jam i bindur që Ministria e Kulturës do të ndërhyjë për të penalizuar këtë situatë në atë zonë atje sepse ka të bëjë me elemente që përfshihen në vendimin që mbron Qendrën e Tiranës.
Jam i bindur se Ministria e Mirëqenies Sociale do të ndërhyjë në këtë situatë sepse kemi të bëjmë me Shtëpinë e Fëmijës, e cila është një nga isntitucionet sociale më të vjetra, më prestigjoze dhe më të rëndësishme të qytetit të Tiranës.
Jam i bindur se Ministria e Arsimit do të ndërhyjë në këtë situatë sepse kemi të bëjmë me Shkollën e Gjuhëve të Huaja, një nga isntitucionet shkencore dhe arsimore më të rëndësishme për brezat e rinj të vendit”, është shprehur Lame.
Në sheshin e ndërtimit midis Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja dhe Shtëpisë së Fëmijës, parashikohet ndërtimi i një pallati 9+2 kate.

Advertisement