Shkodër – Topalli, kemi kapur rekord në rritjen ekonomike

Velipoja një prej zonave më të njohura turistike në vend, këto katër vjet ka njohur ndryshimet të jashtëzakonshme në infrastrukturë, rrugë, ujësjellës, kanalizime në sistemin arsimor e shëndetësi. Mbi 12 milionë euro nga buxheti i shtetit janë investuar në rikonstruksion rrugësh si ajo nacionale Mali Kolaj-Vilu, 400 milionë lekë, rindërtim i shëtitoreve, ku vetëm në shëtitoren e plazhit janë derdhur 20 milionë lekë, akse të tjera rurale, ndërtimin e shkollave Gjergj Vat Martini, Rec i Vjetër dhe Mal Kolaj me vlerë mbi 43 milionë lekë, ndërtimi i pesë qendrave shëndetësore, sigurimi i energjisë 24 orë, dhe investime të tjera në sektorët publikë. Pasi përuroi shkollën e re një investim prej 32 milionë lekë Kryetarja e Kuvendit tha se investimet e kryera në Shqipëri këto katër vjet, janë shifra të paimagjinueshme. “Vij këtu në Velipojë, tha Kryetarja e Kuvendit dhe shoh që është ndërtuar rrugë e re, urë e re, shkollë e re, ujësjellës i ri, rrugë të tjera të reja. Kjo është Shqipëria që po ndryshon”, – theksoi Topalli. “Të gjitha veprat e përfunduara në total shkojnë 12 milionë euro. Unë këtu kam zyrtarë që kanë drejtuar vite më parë bashkinë e Shkodrës. Në 8 vjet rresht në bashkinë e Shkodrës nuk kanë ardhur më shumë se 1 milion dollarë, kurse vetëm në Velipojë, sikurse edhe dje në komunën e Shëngjinit dhe ashtu si në çdo komunë tjetër të Shqipërisë, në veri apo në jug, apo në lindje dhe perëndim, ka nga 10 herë, 15 herë më shumë investime” u shpreh Topalli. “Pas 28 qershorit në mandatin e dytë, kemi të tjera projekte të mëdha, zhvillimin ekonomik e kemi përpara. Projektet tona janë vazhdimi i atyre projekteve të zhvillimit ekonomik që kanë bërë që kjo Shqipëri të shihet dhe të renditet nga vëndet e tjera ndryshe nga sa renditej vetëm 4 vite më përpara” shtoi më tej kryeparlamentarja. “Më 28 qershor do të jetë ditë e bukur, e madhe, më 28 qershor ne do të realizojmë fitoren më të fortë dhe më të thellë, nga seç e kemi pasur 4 vite më përpara, sepse shqiptarët duan të vazhdojnë në rrugën e integrimit, të pritjes, të marrjes së investimeve më të mëdha” u shpreh Jozefina Topalli. Kurse shtoi se kemi kapur “rekord në rritjen ekonomike, të rrogave, në pensione, në shpejtësinë e integrimit”. Po ashtu, shtoi se “kemi qenë rekord në secilën garë ku Shqipëria ka marrë pjesë dhe ju na keni mbështetur”.

Advertisement