Shkodër | Rama prezanton kandidatët: të largojmë regjimin e Berishës

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka prezantuar në Shkodër kandidatët e majtë për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit, duke kërkuar votën e shkodranëve “për të larguar regjimin e kryeministrit Sali Berisha”, siç u shpreh ai. Rama theksoi se “23 qershori është dita kur Shkodra duhet të bëjë atë që ka bërë gjithmonë kur i ka ardhur në majë të hundës, të japë një votë për Rilindjen dhe jo për rrënimin”. Në vazhdim të fjalës së tij, kreu i socialistëve theksoi se “shkodranët e mençur duhet të rilindin PD-në duke e çuar në opozitë më 23 qershor, pasi nuk ka nevojë të jesh as socialist e as demokrat për të shkuar drejt qendrës së votimit dhe të votosh për Rilindjen”. Rama e cilesoi garën e 23 qershorit jo vetëm si jetike për mirëqënien e qytetarëve, por edhe për një realitet të ri politik. Ai pasi shprehu bindjen për një fitore të së majtës edhe në këtë qark, vuri në dukje se “qeveria e re socialiste që do dalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit do të investojë për Shkodrën, Pukën dhe Malësinë e Madhe aq sa nuk janë bërë në 20 vite me radhë”.

Advertisement