Ndërsa janë kundër ndërtimit të këtij centrali, shkodranët pohojnë se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë ndërtimin e këtij centrali, pasi ai do të thotë vdekje për fëmijët e tyre dhe shkatërrim të qytetit. Mesditën e djeshme, qendra e qytetit verior ishte mbushur me postera kundër ndërtimit të këtij impianti gjigand vdekjeprurës. “Të bashkohemi për të ndalur kancerin në Shkodër dhe lindjet e deformuara që do shkaktojë centrali bërthamor”, thuhej në postera. Zyrtarët kroat konfirmojnë marrëveshjen që është firmosur me Shqipërinë për ndërtimin e një impianti të përbashkët bërthamorë në Shqipëri, afër kufirit me Malin e Zi. Zëdhënësi i ministrit kroat të Ekonomisë, Tomoslav Mazal, tha se qeveritë e dy vëndeve kanë formuar një grup pune prej 5 ekspertësh, të cilët kanë si detyrë që të zbatojnë nga ana teknike këtë projekt të madh. Ndërkohë ekspertët malazezë japin alarmin për rrezikun e madh që sjell ndërtimi i centralit bërthamor për liqenin e Shkodrës dhe të gjithë zonën. Eksperti i ndërtimeve, Cedomir Cejoviç, ka paralajmëruar për rreziqet e ndërtimit të një impianti të tillë në një zonë që njihet për aktivitetin sizmik. “Riviera jonë është 30 kilometra larg atij rajoni, çdo incident do të fshinte qytete të tëra nga harta. Liqeni i Shkodrës, edhe pa incidente do të vihej në rrezik nga puna e impiantit, pasi temperatura do të rritet në disa gradë. Kjo do të shkatërronte jetën e gjallesave në këtë liqen”, – paralajmëron ky ekspert. Ndërkohë, nga pala shqiptare ende nuk ka ndonjë koment për rreziqet e ndërtimit të këtij impianti.