Shkodër | PS dhe LSI firmosin marrëveshjen e koalicionit

Kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe ai i LSI-së, Ilir Meta, nënshkruan në Shkodër marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Marrëveshja u firmos në Shkodër, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të së majtës së Ballkanit. PS dhe LSI kanë refuzuar të zbulojnë paraprakisht detaje të marrëveshjes. Marrëveshja zyrtare PS-LSI, pjesë e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, u firmos në limitet e regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore, afati i fundit është data 23 prill. Kryesocialisti Edi Rama gjatë konferencës së Partive Socialiste Europiane u shpreh i kënaqur që sot mbahet për herë të parë në vendin tonë një konferencë e tillë, ditë kjo, sic tha ai, që përkon edhe me firmosjen e marrëveshjes mes dy forcave të majta, PS dhe LSI. Rama tha se ajo do ti kthejë shqiptarëve të drejtën sovrane për të qeverisur. “Ne jemi sot këtu për të firmosur marrëveshjen që do i kthejë shqiptarëve të drejtën sovrane të qeverisjes së këtij vendi. Kemi rënë dakord për një marrëveshje që nis nga një kartë parimesh”, tha ai. Lideri i LSI-së, Ilir Meta, tha se ky koalicion do të jetë solid e afatgjatë. “Bashkimi i të majtës dhe i gjithë forcave progresiste është një aksion politik historik, i domosdoshëm, që bashkon dëshirën e qytetarëve shqiptarë për një ndryshim substancial. Zgjedhjet e 23 qershorit janë një gurë prove për demokracinë dhe të ardhmen, dhe sot e majta ndjen përgjegjësinë dhe detyrën patriotike kombëtare për të hapur një perspektivë të re, e cila mbyll tranzicionin dhe integron shqiptarët në BE. Energjia dhe vizioni ynë i përbashkët do të sjellin një ritëm të ri, me qëllim integrimin e vendit në BE.”- u shpreh Meta.

Advertisement