Shkodër – Përmbytje nga reshjet e shiut

Zona e Nënshkodres mbetet gjithnjë më e prekura nga vërshimet e ujërave, edhe për faktin se pjesa më e madhe e ndërtesave janë ngritur pa studime dhe pas viteve 90-të. Sipërfaqe të mëdha toke dhe dhjetëra shtëpi janë përmbytyr në disa komuna të Shkodrës si pasojë e shkarkimeve të hidrocentralit të Vaut të Dejës. Situata paraqitet problematike në komunën e Gurit të Zi, Bërdicë si dhe në lagjen Bahçallëk të Shkodrës. Ndërkohë në prefekturën e Shkodrës pritet të mblidhet edhe Shtabi i Emergjencave, ku do të hartohet edhe plani i masave për të pasur dëme sa më minimale. Ndërkohë edhe ministri i ekonomisë Ilir Meta ka shkuar në hidrocentralin e Vaut të Dejës për t`u njohur me situatën atje. I shoqëruar nga drejtori i KESH-it Ëngjëll Zeqo, ministri Meta është njohur me prurjet dhe shkarkimet në këtë hidrocentral si dhe ka bërë apel që të bëhet kujdes me shkarkimet nga ky hidrocentral. Gjithashtu situata problematike paraqitet edhe në Malësinë e Madhe ku si pasojë e përmbytjeve në këtë zonë janë evakuar 104 familje si dhe mbetet e bllokuar segmenti rrugor Shkodër Hani i Hotit.

Advertisement