Shkodër – Pajtohen 4 familje me probleme gjakmarrjeje

Pajtimi mes familjeve në hasmëri është konfirmuar për besimtarët në mesnatën e festës nga Imzot Anxhelo Masafra, Metropolitan i Dioqezës Shkodër-Pult, mbajtur në Katedralen “Shën Shtjefni” të qytetit të Shkodrës. Në ceremoni u tha se 2 prej familjeve që i shtrinë dorën e pajtimit njëra-tjetrës janë me banim në Hotin e Ri, dhe dy të tjera në fshatin Rranxa të komunës Bushat. “Në emër të Krishtit të kryqëzuar dhe të ringjallur, katër familjet katolike u pajtuan duke rifituar qetësinë, gëzimin, lirinë dhe vëllazërimin”, – tha Arqipeshkvi Metropolitan i Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Masafra gjatë meshës solemne të Pashkëve. Mësohet se deri në shtrirjen e dorës së faljes mes këtyre familjeve është bërë një punë e gjatë dhe e lodhshme, ku veçohet roli i Imzot Anxhelo Masafrës. Edhe pse ishte gjykuar që pajtimi të ruante identitetet e familjeve, mësohet se për familjarë dhe të afërm të Mark Vilës në Rranxë të Bushatit e Prenk Dedës nga Mali i Jushit, ngjarja e pajtimit në ditën e Pashkëve është një nga më të rëndësishmet në jetën e familjeve të tyre.

Advertisement