Duke i uruar festën të gjithë komunitetit mysliman të Shkodrës dhe të mbarë kombit shqiptar, gjatë faljes së tij, myftiu i Shkodrës, Imam Muhamet Sytari, u ndal edhe tek disa fenomene që kanë shqetësuar jo pak shoqërinë tonë. Vrasjet, gjakmarrjet, keqpërdorimi i familjes deri edhe në vrasje mes burrit e gruas, apo edhe djalit me babën, etj, sipas tij kanë ardhur pasi vitet e fundit vihet re indeferentizmi ndaj besimit fetar. Sipas tij, vetem duke u ofruar me zotin mund të riparohen këto defekte të kohëve të fundit të shoqërisë sonë. Prigameri dhe Muhameti përcjellin përherë mesazhin e mirëkuptimit, harmonisë dhe dashurisë me njëri tjetrin, ndaj në emr të tyre, myftiu Sytari i kërkoi të gjithë atyre besimtarëve që janë për momentin në hasmëri, t’i shtrijnë dorën e pajtimit njëri-tjetrit për të vijuar me një jetë normale dhe plot harmoni, sepse kështu e kërkon edhe feja, të duajnë dhe respektojnë familjet e tyre si gjëja më e shtrenjtë që ekziston. Ndërkohë, duke iu referuar harmonisë që ka ekzistuar prej vitesh në qytetin e Shkodrës, gjë që shprehet edhe me atë se tre objektet e komuniteteve fetare, musliman, katolik dhe ortodoks janë krejt pranë njëri tjetrit në këtë shesh ku po zhvillohej ceremonia, myftiu theksoi se ka kërkuar Këshillit Bashkiak të Shkodrës, që ai të marrë emrin, sheshi “Harmonia”.