Sipas tyre rezulton që në vetëm në zonën e Shkodrës janë përmbytur 4786 ha tokë. Ndërkaq, për këtë zonë komunikohet zyrtarisht se janë në praninë e ujit plot 870 shtëpi, ndërsa janë evakuuar gjithsej 527 familje. Komuna Dajç: Nga grupi i punës inxhiniero-teknik i ngritur nga Prefekti në bashkëpunim me strukturat e ushtrisë është punuar dhe riparuar rreth 140 m argjinaturë dhe brenda ditës së sotme pritet të përfundojë pjesa tjetër e dëmtuar prej 400 m. Gjatë ditës së djeshme është bërë një punë intensive nga strukturat e policisë dhe të ushtrisë që janë të dislokuar në këtë zone, për të bindur komunitetin e zonës për t’u evakuar, punë e cila vazhdoi edhe gjatë mbremjes së kaluar. Po punohet në komunën Velipojë për riparimin e argjinaturës në fshatin Ças. Gjatë ditës së djeshme janë evakuar nga strukturat e ushtrisë rreth 200 kokë bagëti nga zona e përmbytur në afërsi të nënstacionit të pompave që furnizojnë komunën Velipojë, pranë fshatit Trush të komunës Bërdicë. Gjithashtu, për të ndihmuar në situatën e krijuar, kanë ardhur edhe një grup specialistësh nga Kosova i përbërë prej 15 vetësh të cilët janë të pajisur me mjete speciale, varka gome etj, që do të vihen në dispozicion të zonave që janë të përmbytura. Nga KECQ i drejtuar nga Prefekti vazhdon ritmikisht puna dhe koordinimi i të gjithë strukturave të dislokuara në qark dhe atyre që kanë ardhur në mbështetje si nga MM, MB, Rezervat e Shtetit për ndjekjen sistematike të situatës konkretisht në terren. Qarku Lezhë: Në Ishullin Shëngjin në lagjen Stom uji është larguar plotësisht. Hidrovori punon me kapacitet të plotë. Vazhdon puna për ngritjen e argjinaturës mbrojtëse për pengimin e baticave të detit. Në komunën Shënkoll, në fshatin Tale argjinatura e hidrovorit është riparuar dhe nuk ka problem në banesa dhe në rrugë. Në komunën Balldre nuk ka problem. Hidrovorët e fshatrave Balldre e Gocaj janë në gjendje pune dhe punojnë me kapacitet të plotë. Në rrethin e Kurbinit: Në komunën Fushë Kuqe, në fshatin Patok nuk ka problem. Hidrovorët në fshatrat Fushë Kuqe dhe Adriatik punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk kanë problem. Për përballimin e situatës emergjencës së krijuar në zonën e Lezhës dhe Shkodrës janë dërguar nga Shtabi i Forcave të Armatosura gjithsej 224 forca, ku prej tyre 14 janë të trupave të sigurisë së Kosovës dhe 2 të NATO-s. Së bashku me 67 mjetet e dërguara në zonat e përmbytura, ata kanë vazhduar kryerjen e detyrave për përforcimin e argjinaturës dhe evakuimin e popullsisë dhe gjësë së gjallë prej tyre. Sipas të dhënave të komunikuara zyrtarisht, prej këtyre forcave janë evakuar: Në Dajç dhe Obot: 2 familje me 16 persona, 26 bagëti, Janë vendosur 600 thasë me rërë. Në Berxhat vazhdon puna për vendosjen e argjinaturës; është ndërtuar 50 ml argjinaturë dhe janë përforcuar 70 ml të tjera. Janë dërguar në zonën e operacionit 100 palë çizme kundër ujit dhe 42 pelerina. Furnizim me bukë dhe ujë të pijshëm. Transportuar 20 m3 inerte për në fshatin Obot. Transportuar një i sëmurë nga fshati Bërdicë për në spitalin civil Shkodër. Janë transportuar 110 m3 inerte nga Velipoja për në Komunën Dajç për rregullimin e argjinaturës dhe hapjen e rrugës. Në fshatin Semishtë Shkodër dhe në fshatin Qashë janë transportuar përkatësisht 40 dhe 20 m3 zhavor. Në Velipojë rezulton se janë transportuar 40 m3 inerte në një distancë 6 km, me 5 automjete vetëshkarkuese të batalionit të xhenios, të cilat arritën në zonën e operacionit rreth orës 23.00 të ditës së djeshme. Në Lezhë janë transportuar nga gurorja e Gjadrit për në Tale të Lezhës 180 m3 inerte për riparim të argjinaturës së dëmtuar Në Ishullin Lezhë janë mbushur 422 m3 argjinaturë. Strukturat e ushtrisë janë në gjendje gatishmërie dhe vazhdojnë operacionet për evakuimin e komunitetit, forcimin e argjinaturave dhe dërgimin e ushqimeve dhe ndihmave të ndryshme për ato familje që nuk janë evakuar ende.