Shkodër – Kryqi i Kuq, banorët refuzojnë të evakuohen

Ushtria dhe policia vazhdojnë evakuimin e njerëzve nga zonat e përmbytura me varka dhe me makina ushtarake duke i akomoduar ata në ambiente ushtarake, konvikte dhe në qendra të tjera komunitare. Por sipas raportit të fundit të OCHA-së për situatën, 16.000 – 20.000 njerëz të tjerë mund të kenë nevojë për evakuim nëse situata përkeqësohet në ditët në vijim. Degët e Kryqit të Kuq të Lezhës dhe të Shkodrës janë pjesë e grupit të menaxhimit të emergjencave të krijuar në përputhje me ligjin për situatat e emergjencës. Situata mbetet e rrezikshme dhe e paparashikueshme. Sakaq, KKSH po vazhdon të furnizojë dhe shpërndajë ndihma humanitare për popullsinë e prekur nga përmbytjet e shumta në rajonet veri-perëndimore të Shqipërisë. Një kontigjent paketash ushqimore familjare, kite higjienike dhe batanije për 200 familje kanë arritur në Shkodër sot më 13 janar 2010. Dega e Kryqit të Kuq Shkodër ka mobilizuar vullnetarët e saj për të ndihmuar ndërhyrjen humanitare dhe shpërndarjen në zonat e prekura. “Në ditët e para të përmbytjes ne shpërndamë ushqim, ujë dhe disa rroba për dimër për familjet më të prekura nga stoku i emergjencës i KKSH-së” thotë Zamir Muça, Sekretar i Përgjithshëm. “Ne shohin që nevojat janë shumë më të mëdha. Me mbështetjen nga Federata Ndërkombëtare e Kryqit të kuq dhe e Gjysmëhënës së Kuqe, ne do të ndihmojmë 2.200 familje të prekura me pako ushqimore dhe joushqimore për tre muajt e ardhshëm kur përmbytja të ketë përfunduar dhe njerëzit do të kenë nevojë për burime shtesë për të rifilluar jetën. Paketat e ndihmës që ne do të shpërndajmë sot, janë pjesë e një programi afatgjatë që do të ndihmojë njerëzit e prekur gjatë dhe pas fatkeqësisë”, – thotë ai. KKSH gjithashtu ka filluar një fushatë solidariteti për mbledhjen e fondeve brenda vendit. Autoritetet shqiptare deklaruan një situatë emergjence në 5 janar në Prefekturat e Shkodrës dhe Lezhës ku përmbytje shumë të forta detyruan evakuimin e më shumë se 4.000 njerëzve. Niveli i ujit në rrugën kryesorë që hyn në Shkodër, ka arritur 1 metër dhe në disa fshatra arrin 2 metra. Zona e Nënshkodrës mbetet në një situatë kritike. Ndihma e Kryqit të Kuq Shqiptar që do të shpërndahet sot, përmban: 25 kg miell, 5 litra vaj, 5 kg sheqer, 5 kg fasule, 5 kg oriz që do të ndihmojnë familjen për një muaj, si dhe një pako me materiale higjienike dhe 4 batanije për familje. Shpërndarja do të kryhet në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe njësitë e emergjencës operative në zonën e prekur. Kryqi i Kuq Shqiptar është organizata më e madhe humanitare në Shqipëri që vepron si ndihmëse e qeverisë në përgjigje të fatkeqësive dhe krizave natyrale, sociale dhe shëndetësore. Kryqi i Kuq Shqiptar është anëtar i Federatës Ndërkombëtare që prej vitit 1923. Shoqatat Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, së bashku me Federatën Ndërkombëtare, përbëjnë Lëvizjen Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe.

Advertisement