Shkodër – ISKSH stimulon financiarisht mjekët e angazhuar 24 orë

Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, në një vizitë të zhvilluar sot në Qendrat e pritjes së të evakuuarve në Shkodër, u shpreh se mjekët që po japin shërbim në çdo kohë, do të stimulohen financiarisht nga ISKSH për shërbimin e kryer. Mjekët e Qendrave Shëndetësore, do të vijojne te jene në shërbim 24 orë të banorëve të zonave të përmbytura përmes grafikut, tashmë të përcaktuar. Situata në terren, sikurse raportojnë mjekët, paraqitet e qetë dhe përveç disa rasteve të virozave të stinës, nuk ka patur raste të rënda për tu shënuar. Barnat e urgjencës nuk mungojnë, po ashtu edhe antibiotikët. Ndërkohë, për tu ardhur në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura, i gjithë stafi i ISKSH-së, në Tiranë dhe në rrethe, ka kontribuar financiarisht, në një shumë të konsiderueshme, e cila tashmë eshtë derdhur në llogarinë bankare të vënë në dispozicion nga Qeveria për këtë situatë emergjente.

Advertisement