Në këtë fshat, Berisha vizitoi edhe një familje, e cila kishte pësuar dëme të konsiderueshme nga përmbytjet e ditëve të fundit. Gjatë bisedës me familjarët, kreu i qeverisë garantoi ato se shteti do t’i mbështesë maksimalisht të gjithë banorët e dëmtuar, deri në stabilizimin e plotë të situatës. “Do të regjistrojmë të gjitha dëmet dhe do t’i zhdëmtojmë ato, në çdo drejtim. E rëndësishme në të gjithë këtë situatë, është që nuk ka pasur humbje në njerëz. Gjithashtu duhet të përpiqemi që të minimizojmë dëmet në gjënë e gjallë. E rëndësishme është që ju të evakuoheni, pasi nuk bëhet trimëri me uji. Qeveria do të përpiqet me çdo mjet që të zhdëmtojë banorët e prekur nga kjo fatkeqësi ” theksoi kryeministri Berisha gjatë takimit me banorët e fshatit Kuç. Gjatë kësaj vizite, ku kryeministri Berisha u takua edhe pushtetarët lokalë, u shpreh se në shtator do të fillojë edhe projekti për thellimin e shtratit të lumit Buna. “Në shtator kam rënë dakord me kryeministrin e Malit të Zi, të nisim bashkërisht punën për thellimin e Bunës, pra Bunën ta bëjmë të lundrueshme dhe kjo e rrit shumë kapacitetin tërheqës të saj. Kësaj here u bashkuan shumë gjëra, fryrja e detit, fryrja e liqenit, por ne do t’i kapim problemet një nga një” u shpreh Berisha.