Shkarkohet Drejtori i Burgut të Tepelenës për abuzime me detyrën

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton, se dje është shkarkuar nga detyra Drejtori i IEVP Tepelenë (Bënçë), Avni Sula. Masa është dhënë pas një inspektimi të kryer së fundmi në këtë institucion dhe shkeljeve të konstatuara nga grupi i inspektimit të DPB.

Shkarkimi u bë me motivacionin “Shkelje në detyrë” të kryera nga ana e drejtorit Sula, në menaxhimin jo të duhur të punës në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Bënçë, Tepelenë.

Advertisement

Shkarkimi vjen një ditë pas mbledhjes së thirrur nga Ministri i Drejtësisë me të gjithë drejtuesit e sistemit të burgjeve, ku mes të tjerash Ministri u kërkoi atyre shërbim me transparencë, në të kundërt masa të ashpra do të merreshin ne vazhdim. Ai u kujtoi drejtuesve, se nuk do të ketë tolerancë për askënd që shkel ligjin dhe se për këtë ka mbështetjen e kreut të Qeverisë Shqiptare dhe kreut të Parlamentit.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, theksoi në fjalën e tij gjatë mbledhjes, se monitorimi i burgjeve do të intensifikohet më tej, ndaj zbatimi i  detyrave duhet të mos neglizhohet nga askush dhe për asnjë arsye.