Ligji i ri i regjistrimit të pasurive rrit kontrollin shtetëror mbi objektet e ndërtuara, përfshirë karabinatë, të cilat shpesh janë përdorur për mashtrime financiare. Madje më shume se kaq.
“Është pastrimi i parave te kjo pjesa, kur flasim për karabinatë dhe kreditë. Janë kredi të këqija që ndodhen në sistemin bankar për arsye të korrupsionit etj. Është për arsye të financimit të terrorizmit që e kemi gjetur në disa raste flagrante, kur kemi zbuluar se struktura të tilla janë përdorur për të financuar për blerje shitje të shpejta dhe kanë kaluar paratë për të financuar dhe veprime terroriste, sigurisht jashtë”, ka thënë Arben Isaraj, zv. ministër i Drejtësisë.
Ndryshimet e reja i detyrojnë ndërtuesit të regjistrojnë në hipotekë jo vetëm lejen e ndërtimit por edhe për kontratat e sipërmarrjes apo porosisë në ndërtimet e reja.
“Është kërkuar pikërisht dhënia fund e veprimeve abuzive të shoqërive ndërtuese në dëm të kreditorëve, banka dhe të vetë qytetarëve porositës duke i dhënë fund shitjeve të dyshimta dhe vendosjes se apartamenteve të shitura si garanci për të marrë kredi”, tha Isaraj.
Drafti u miratua në komisionin e ekonomisë me votat e maxhorancës. Opozita edhe pse ishte pro ndryshimeve kryesore, abstenoi pasi ishte kundër një pike në ligjin e ri e cila i jep të drejtë hipotekës që të ardhurat shtesë nga tarifat e regjistrimit të mos i derdhin në buxhet por t’i mbartë në vitin pasardhës.