Një trup i pajetë është gjetur mëngjesin e ditës së sotme pranë shkollës “Ismail Qemali” në qytetin e Korçës.
Identiteti i viktimës ende nuk është bërë i ditur, ndërsa mendohet të ketë ndërruar jetë si pasoje e temperaturave të ulëta. Ndërkohë mbrëmjen e së hënës një tjetër person është gjetur i pajetë në fshatin Brecanj të Korçës, ku sipas policisë kishte ndërruar jetë nga i ftohti i acartë. Dita e sotme do të jetë një nga ditët më të ftohta të vitit 2014 që po mbaron. Temperaturat kanë zbritur në disa zona deri në -10 gradë, ndërsa në kryeqytet deri në -8. Reshjet e dëborës janë ndërprerë dhe moti është i kthjellët, por sërish ka pasur probleme për shkak të akullit dhe dëborës së ngrirë. Për këtë arsye Autoriteti Rrugor Shtetëror i kërkon drejtuesve të bëjnë kujdes me lëvizjen, të evitojnë shpejtësinë dhe të përdorin zinxhirët në zonat ku ka akull, duhet të shmangen parakalimet në rrugët e ngushta. Megjithëse në disa rrugë nacionale po hidhet kripë në mënyrë që të shkrijë akulli, sërish situata nuk është optimale. Rrugë me prani akulli janë ato që shkojnë drejt Korçës, veçanërisht në zonën e quajtur “Kthesa e Murashit”, në Qafë-Thanë dhe në Qafë-Plloçë. Pothuajse të gjitha rrugët e Qarkut Korçë janë me akull, por këto probleme janë më të mëdha në Qarkun e Kukësit dhe të Dibrës. Vetëm në “Rrugën e Kombit” situata është diçka më e mirë, por edhe atje kërkohet të bëhet kujdes për shkak të ngricave. Zonat e tjera të akseve nacionale që kanë akull janë: Qafa e Muzinës në rrugën Gjirokastër-Sarandë dhe Llogoraja.