SHBA – Zonja Liri Berisha merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Autizmit

Në kuadër të punës dhe përpjekjeve për studimin dhe trajtimin e Autizmit, në Nju Jork, SHBA, u organizua Konferenca Ndërkombëtare e Autizmit “World Focus on Autism”, organizuar nga Autism Speaks në partneritet me organizata të tjera, midis të cilave edhe Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë, presidente e të cilit është Zonja Liri Berisha. Pjesëmarrës në këtë organizatë ishin Zonja të Para nga e gjithë bota, mjekë, sociologë, psikologë etj. Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë merrte pjesë në këtë konferencë si një prej organizatorëve, dhe zonja Berisha në rolin e bashkë-kryetares së nderit. “Autism Speakes” është qendra më e madhe mbi autizmin në Nju Jork e themeluar në vitin 2005, e cila ka për qëllim financimin dhe mbështetjen e kërkimit shkencor, parandalimit, trajtimit dhe kurimit të autizmit. Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë “Domenick Scaglione” dhe Presidentja e tij, zonja Liri Berisha kanë një partneritet të ngushtë me këtë qendër. Presidentja e “Autism Speakes” zonja Suzanne Wright bëri një ekspoze mjaft vlerësuese mbi punën e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë si dhe mbi arritjet e këtyre përpjekjeve në këtë fushë. Më pas ajo ia dha fjalën zonjës Berisha e cila në diskutimin e saj hodhi dritë mbi disa iniciativa konkrete në këtë drejtim si organizimin e një konference kombëtare për të dytin vit radhas në Shqipëri ku ekspertë të shkëlqyer ndërkombëtarë do t’i ofrojnë pediatërve, psikologëve dhe aktorëve të tjerë lokalë, informacionin e nevojshëm dhe bashkëkohor si dhe do të ofrohen sesione trajnimi për grupe të vogla specialistësh që tashmë punojnë me fëmijët autistë. Presidentja e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë, zonja Liri Berisha nënvizoi se një bibliotekë me literaturë mbi autizmin po nis të krijohet falë kontributit të figurave të shquara nga Britania e madhe dhe SHBA dhe ka nisur dhurimi i librave dhe revistave mbi autizmin. “Unë do të inkurajoja që çdo vend të ndërtonte një partneritet të tillë, si ai që ne kemi me “Autism Speaks”, tha zonja Berisha në fund të fjalës së saj.

Advertisement