Megjithë kundërshtimet e administratës Obama, komisioni i Jashtëm në Dhomën e Përfaqësuesve miratoi dje një rezolutë jo të detyrueshme me 23 vota pro dhe 22 kundër. Nga ana e tij, kryeministri i Turqisë Rexhep Taip Erdogan, tha se ishte seriozisht i shqetësuar pasi rezoluta mund t’i dëmtojë lidhjet turko–amerikane dhe përpjekjet që Turqia myslimane dhe Armenia e krishterë t’i lënë pas armiqësitë shekullore. Prandaj ai e ka tërhequr ambasadorin turk nga Uashington për konsultime. Turqia e pranon se shumë armenë të krishterë janë vrarë nga Turqit Otomanë, por nuk pranon se janë vrarë afro 1.5 milion të tillë dhe e kundërshton se ky ishte gjenocid. Ndërkaq, sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton u tha gazetarëve në San Jose të Kosta Rikës të mërkurën se miratimi i kësaj rezolute mund të acarojë procesin e pajtimit mes Turqisë dhe Armenisë.