Bëhet fjalë për një përplasje trenash të sistemit të metrosë në Uashington, nga e cila mësohet se kanë mbetur të vdekur 6 persona, ndërsa mbi 70 të tjerë rezultojnë të lënduar dhe të plagosur. Ndërkaq, janë me qindra zjarrfikës që po vazhdojnë të kërkojnë në vagonat e dy trenave. Autoritetet e përshkruajnë përplasjen si një “aksident me shumë viktima”. Ajo ndodhi si pasojë e përplasjes së një treni, i cili më pas ka hipur mbi një tjetër, duke shkaktuar çarjen e vagonëve dhe përplasjen e fortë me njëri-tjetrin. Disa orë pas aksidentit, autoritetet thanë se të paktën gjashtë prej të plagosurve ishin në gjendje të rëndë; 14 u shtruan në spital dhe 50 të tjerë u kuruan në vendgjarje për plagosje dhe dëmtime të lehta. Një nga personat që humbën jetën ishte makinistja e njërit prej trenave. Xhon Kato, Menaxher i Përgjithshëm i Sistemit të Transportit të Kryeqytetit u tha gazetarëve se treni i parë ndaloi duke pritur që të kalonte më parë një tren që ishte në stacion, kur treni i dytë, për arsye ende të panjohura, u përplas me të nga mbrapa. “Është një ngjarje jashtëzakonisht tragjike dhe ne do ta hetojmë deri në fund për të zbuluar se çfarë ndodhi”, ka deklaruar ai mbi një fakt të tillë. Sistemi i metrosë së Uashingtonit përdoret nga qindra mijëra banorë të Uashingtonit, Virxhinias dhe Merilendit si edhe nga vizitorë nga e gjithë bota. Përplasja e fundit vdekjeprurëse në sistem ishte në vitin 1982, kur tre persona humbën jetën kur një tren doli nga shinat gjatë një stuhie me dëborë.