Në Moskë, Presidenti Obama do të përpiqet t’u japë një fillim të ri marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Rusinë. Vitet e fundit, këto marrëdhënie ishin keqësuar nga mosmarrëveshjet me Moskën për shkak të mosmarrëveshjeve rreth Gjeorgjisë, zgjerimit të NATO-s dhe çështjeve të tjera. Ai do të takohet veç e veç me Presidentin rus Dmitri Medvedev dhe me kryeministrin Vladimir Putin. Objektivi kryesor i këtyre bisedimeve do të jetë të startojnë negociatat për një marrëveshje të re që do të zëvendësonte Traktatin për Pakësimin e Armëve, i cili skadon së shpejti. Obama thotë se ka rëndësi konsultimi me të dy udhëheqësit rusë duke shtuar se Kryeministri Putin, ish-president i Rusisë, ende ka mjaft pushtet. Ndërsa dita e parë në Moskë dhe një pjesë e paradites tjetër do t’u kushtohet takimeve me udhëheqësit e Rusisë, Presidenti Obama synon gjithashtu t’i dërgojë mesazhe popullit rus me një fjalim si dhe me një numër diskutimesh me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të opozitës politike, por një fjalim ai pritet që ta mbajë edhe në Ganë.