Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, në kuadër të vizitës së tij në SHBA, Kreu i Shtetit shqiptar mori pjesë në këtë takim të nivelit të lartë ku vlerësoi se, “shteti i së drejtës apo sundimi i ligjit është parësor për mirëqenien dhe mirëfunksionimin e shoqërive tona”. “Konsolidimi i sundimit të ligjit në Shqipëri në nivel kombëtar është shëndërruar në parimin udhëheqës për një demokraci të re e të fuqizuar si dhe në gurin themeltar të një shoqërie të konsoliduar e në harmoni, të një ekonomie tregu të hapur e solide, të një qëndrueshmërie rajonal dhe paqeje e sigurie afatgjatë”, tha Nishani. Ai theksoi se, “Shqipëria gjendet sot në pararojë të mbështetjes dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe përkrah luftën e të gjithë popujve për liri anembanë botës, që nga Siria deri në Mianmar”. Çdo regjim që dhunon ligjin e lirisë, sipas Presidentit Nishani, duhet të japë llogari në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në këtë drejtim ai theksoi se, “Kushtetuta shqiptare parasheh se në rastin e një konflikti mes ligjit kombëtar dhe atij ndërkombëtar, mbizotëron ky i fundit”. “Kjo është garancia më e mirë se ndërsa respekton sovranitetin shtetëror, Shqipëria mbetet një partner vërtet i përkushtuar ndaj promovimit të drejtësisë, mbajtjes së përgjegjësisë dhe tepër e vendosur për ndëshkueshmërinë e çdo krimi të kryer. Në këtë drejtim, Shqipëria mbështet me gjithë zemër parimin e juridiksionit mbarëbotëror, sepse ne besojmë që ai është një mekanizëm i rëndësishëm për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për promovimin e përgjegjshmërisë”, tha Nishani. Ai theksoi se, Shqipëria ka mbështetur dhe gjithmonë do të vazhdojë të mbështesë mandatet e Gjykatave Ndërkombëtare për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në luftën ndaj pandëshkueshmërisë si dhe në vendosjen e standardeve të një drejtësie botërore në interes të paqes dhe sigurisë. “Është për të ardhur keq që nganjëherë vendimet dhe mendimet e Gjykatave Ndërkombëtare nuk merren parasysh nga shtetet, të cilat i kanë ngritur dhe paraqitur fillimisht si çështje gjyqësore. Kështu ishte edhe rasti me mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pavarësinë e Republikës së Kosovës”, shtoi ai. Duke u ndalur te bashkëpunimi rajonal, Nishani tha se, “Shqipëria ka ndërmarrë hapa kyçe përtej nivelit kombëtar për vendosjen e një dialogu dhe bashkëpunimi kontruktiv me të gjitha vendet e rajonit, dhe mbështet pa kushte nismat e Bashkimit Evropian e të bashkësisë ndërkombëtare për fuqizimin e Shtetit të së Drejtës në rajonin tonë”. “Ne vlerësojmë veçanërisht punën e bërë nga EULEX-i në Republikën e Kosovës, duke e konsideruar atë një kontribut shtesë e të çmuar ndaj paqes dhe sigurisë në rajon pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ne besojmë se në rajon, objektivi ynë për të vendosur, respektuar dhe për t’iu bindur sundimit të ligjit është një domosdoshmëri që duhet përqafuar plotësisht nga të gjitha vendet, të cilat synojnë seriozisht të përparojnë drejt bashkëpunimit dhe harmonisë së plotë rajonale dhe të përmbushin qëllimin e përbashkët të integrimit evropian”, tha Nishani.