SHBA – Në fillim të vitit do të ashpërsohen sanksionet ndaj Iranit

Ky është reagimi i autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, të cilët janë shprehur se koha e ultimatumit të vendosur ndaj Iranit është duke mbaruar. Sipas tyre, në rast se nuk arrihet një marrëveshje për programin bërthamor, atëherë Republika Islamike do të përballet me sanksione të ashpra vitin e ardhshëm. “Irani në mënyrë të përsëritur është duke shkelur rregullat ndërkombëtare, si me programin bërthamor, ashtu edhe me tregtinë e armëve me Sirinë, e cila ndodhet nën embargo ndërkombëtare armësh”, ka thënë ambasadorja amerikane në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Susan Rice. Ndërkaq, Koreja e Veriut ka bërë të ditur se dëshiron të punojë me Shtetet e Bashkuara për të ngushtuar dallimet lidhur me programet bërthamore. Penjani bëri të ditur se është arritur mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara për nevojën e rifillimit të bisedimeve gjashtëpalëshe, të cilat synojnë dhënien fund të programeve bërthamore të Koresë së Veriut.

Advertisement