Në lidhje me çështjen e Iranit ai ka pohuar se në fakt, nuk rezulton asnjë tregues, apo provë, që ky vend të zotërojë një program armësh bërthamore dhe sipas tij, ai është thjesht një përpjekje për të vënë në pah rolin e këtij shteti si fuqi rajonale, por jo si diçka që rezulton realisht. “Sipas mendimit tim, programi bërthamor i Iranit është thjesht një mjet për të arritur një qëllim. Irani do që të njihet si fuqi rajonale. Ata mendojnë se njohuritë bërthamore sjellin prestigj dhe fuqi, dhe ata do të donin që Shtetet e Bashkuara t’i angazhonin”, mësohet të jetë shprehur Baradei lidhur me një fakt të tillë. Nga ana tjetër, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike i pranoi shqetësimet izraelite për një Iran me armë bërthamore apo për çfarëdo vendi tjetër armiqësor, por shtoi se ka gjithmonë dy anë të një historie. “Nëse e shohim nga pikëpamja arabe, arabët janë po aq të shqetësuar, madje ndoshta edhe më shumë, për programet bërthamore që mendohet se ka Izraeli. Ne nuk mund të presim që pjesa tjetër e botës arabe të jetë e qetë duke lexuar çdo ditë që Izraeli ka 200 armë bërthamore”, u shpreh ai. Ndërsa në lidhje me çështjen e Koresë së Veriut, El Baradei tha se një nga çështjet është mania e tyre për sigurinë dhe mundësinë e ndryshimit të regjimit nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa e dyta ka të bëjë me karburantin bërthamor, kartë të cilën ata duan ta përdorin sa më shumë për të rritur në maksimum ndihmën humanitare dhe ekonomike.