SHBA – Berisha i kërkon presidentit Ivanov tërheqjen e enciklopedisë, publikimi i saj i papranueshëm

Kryeministri theksoi se publikimi së fundmi, nga ana e Akademisë Maqedonase, i një enciklopedie është një qëndrim absurd dhe i papranueshëm. “Duke qenë se Akademia është një institucion zyrtar i Republikës së Maqedonisë, ndërhyrja e autoriteteve të larta maqedonase me një qëndrim të qartë ndaj këtij problemi do të ishte e domosdoshme, për faktin se askush nuk mund të ndërtojë identitet bazuar mbi falsifikim të historisë”, i deklaroi Berisha Ivanovit, duke i kërkuar në këtë mënyrë që të urdhërojë daljen jashtë qarkullimi i enciklopedisë famëkeqe. Lidhur me këtë çështje, Presidenti Ivanov tha se, sapo të kthehej në Shkup, do përpiqet të ndikojë në këtë çështje. Takimi mes Berishës dhe Ivanovit u krye gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Zyra e shtypit e Berishës tha se gjatë bisedës, veç argumentit mbi enciklopedinë, të dy personalitetet rikonfirmuan marrëdhëniet shumë të mira e miqësore ndërmjet të dy vendeve, si dhe vendosmërinë e palëve për t’i forcuar e zgjeruar ato dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat edhe më tej, në të ardhmen. Kryeministri e njohu Presidentin me vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të kompletuar lidhjen hekurudhore me Maqedoninë dhe i bëri me dije se rruga e Arbrit, që po ndërtohet nga qeveria shqiptare, shkurton distancën me Shkupin rreth 100 km. Integrimi evropian është një tjetër fushë ku mund të rritet bashkëpunimi dhe Maqedonia është e gatshme t’i ofrojë Shqipërisë përvojën, në veçanti për sa i përket përgatitjeve për statusin e vendit kandidat për anëtar në BE. Duke e përgëzuar Kryeministrin Berisha për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Presidenti Ivanov u shpreh se vend i tij ndihet shumë krenar për këtë arritje të popullit fqinj e mik shqiptar.

Advertisement