Ish-ministri i financave Shkëlqim Cani, ka dëshmuar të premten para komisionit parlamentar hetimor për “Çështjen e serverit të tatimeve”. Zoti Cani shprehu bindjen se në vitin 2013, në tatime është ndërhyrë dhe vjedhur. Ai tha para komisionit se për të çuar çështjen deri në fund, në atë kohë ngriti një grup audituesish të jashtëm.
Zoti Cani i bëri thirrje minsitrit aktual Ahmetaj të çojë sërish një audit pranë drejtorisë së tatimeve. Por nga ana e tyre deputetët e opozitës nuk i kanë miratuar deklaratat e zoti Cani. Sipas tyre disa veprime të tij nuk kanë patur bazë ligjore. Referuar planit të ndryshuar nga demokratët, në mbledhjen e ardhshme parashikohen seancë dëgjimore me dy drejtues të tjerë të financave.
Historia e serverit të tatimeve nis që në vitin 2013. Nga maxhoranca e majtë ka patur dyshime se ish zyrtarë të lartë në kohën e qeverisë Berisha kanë kryer transaksione të fshehta. Po e njëjta gjë pretendohet edhe nga opozita. Një kallzim nga drejtuesit e DPT në prokurori, u mbyll nga kjo e fundit me argumentin se nuk kishte vepër penale.