Solana është takuar me ministrin e jashtëm serb Vuk Jeremic dhe që të dy kanë shprehur besimin se qytetarët e Serbisë do të marrin lajme të mira për vizat nga Brukseli. “Në pak ditë, ju do merrni lajme të mira” tha Solana. Ai shtoi se Bashkimi Europian do bëjë gjithcka që është e mundur për të vazhduar forcimin e marrëdhënieve institucionale me Serbinë. Ndërkohë dy zyrtarët kanë diskutuar mes tyre dhe cështjen e Kosovës, por kjo temë është përmendur vetëm në kontekstin e sigurisë rajonale duke anashkaluar statusin e Kosovës, që për shumicën e vendeve të BE është cështje e zgjidhur tashmë. Solana nuk e ka përfunduar vizitën e tij dhe do të takohet edhe me presidentin Boris Tadic, kryeministrin Mirko Cvetkovic dhe zv/kryeministrin dhe njëkohësisht ministër i brendshëm, Ivika Dacic. Në një intervistë para takimit, Solana tha se Serbia ka bërë një progres të pakthyeshëm drejt së ardhmes në BE. Solana ndodhet në një tur në Ballkan. Pas Serbisë do të vizitojë Prishtinën, pastaj Maqedoninë dhe Malin e Zi. Solana largohet nga posti i shefit të politikës së jashtme dhe sigurisë europiane në tetor të këtij viti.