Serbi | Presidenti Topi: Kosova nuk duhej të mbetej jashtë samitit

topi-bamir

“Ajo është një pjesëmarrëse legjitime në veprimtari të tilla si dhe një faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Kosova, me kulturën e saj të vjetër dhe të re, me artin e saj modern e bashkëkohor, me zërat e saj më të artikuluar, do t’i forcojë lidhjet politiko-kulturore me popujt e tjerë në rajon dhe sidomos me fqinjët. Për këtë duhet vullnet i gjithanshëm, sepse pajtimi është plotësisht i mundur. Popujt nuk mund dhe nuk duhet të jetojnë me tensione dhe me komplekse që vijnë nga e kaluara, por në paqe e në harmoni dhe sigurisht, gjuha e artit, pluraliteti i tij janë instrumente shpirtërore të pazëvendësueshme komunikimi”, ka deklaruar ne Beograd Presidenti Topi. Gjithashtu Topi u shpreh se mesazhi që do të përcillet nëpërmjet këtij samiti do t`i shërbejë forcimit të dialogut dhe njohjes së mëtejshme e të ndërsjellë mes popujve dhe kulturave të vendeve të rajonit Sipas tij, politika nuk mund të pengojë artin, nuk mund të pengojë institucionet, në mënyrë që promovojë kulturën e dialogut dhe komunikimit që vjen nëpërmjet tij. “Kjo është arsyeja që unë them, që paradoksalisht, ajo që ndodh në tryeza më të gjera në Evropë, ku personalitetet e Kosovës janë të pranishme, ajo duhet të ndodhë edhe këtu. Unë jam i bindur që politika e moderuar e lidershipit të rajonit do të bëjë të mundur që në tryeza të tilla të jetë e pranishme edhe Presidentja e re e Kosovës, e cila normalisht duhet të ishte e pranishme edhe sot”, u shpreh Presidenti Topi në mbyllje të fjalës në Samitin e 9-të Rajonal të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore.

Advertisement