“Procesi i Radovan Karaxhiçit është parashikuar të rifillojë më 13 prill të vitit 2010 në orën 14:15 me paraqitjen e elementëve të provave nga akuza”, thuhet në një komunikatë të TPI-së. TPI-ja ka njoftuar se apeli i paraqitur nga Karaxhiç, i cili kërkonte një shtyrje tjetër të procesit, është kundërshtuar, duke i hapur rrugën rifillimit të procesit. Procesi i Karaxhiçit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid të kryer gjatë luftës së Bosnjes së periudhës 1992-1995 ka filluar në Hagë në fund të tetorit të vitit 2009, në mungesë të të akuzuarit, i cili kërkonte më tepër kohë për përgatitjen e mbrojtjes. Seancat gjyqësore kanë rifilluar më 1 dhe 2 mars përpara se të pezulloheshin përsëri, në pritje të vendimit të instancës së apelit ku Karaxhiçi paraqiti një kërkesë për apelim. Kërkesa e re për shtyrje procesi që ai kishte paraqitur është kundërshtuar në instancën e parë. Ish-presidenti i Republikës së vetëshpallur të serbëve të Bosnjes, 64 vjeç, akuzohet për organizimin e një spastrimi etnik gjatë luftës së Bosnjes, që shkaktoi vdekjen e 100 000 personave dhe largimin nga trojet e tyre të 2,2 milionë të tjerëve nga viti 1992 deri në vitin 1995.